Çmimi i tyre i lirë ka vërshuar tregun kosovar, bile kanë nisur edhe të shkruhen me emra shqip, duke lënë përshtypjen që janë prodhime vendore, por në realitet janë mallra nga Kina.
Vetëm gjatë vitit të kaluar por edhe gjatë këtij viti, nga Kina për në Kosovë kanë hyrë më shumë se 4.4 milionë kilogramë produkte ushqimore, baza doganore e të cilave ka qenë rreth 6 milionë euro.
Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, gjatë këtij viti, por edhe gjatë vitit që lamë pas në Kosovë kanë hyrë më shumë se 20 produkte ushqimore nga Kina.
Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, thotë se produktet e identifikuara në Doganë si “Përgatitje prej zarzavateve, frutave apo edhe bimëve”, prijnë për nga importi.
Zëdhënësi thotë se po ashtu edhe farat vajore dhe frutat me përmbajtje vajore, kokrra dhe fruta të ndryshme, bimët industriale dhe medicinale, zënë vend të rëndësishëm në importin e produkteve ushqimore nga Kina.
“Gjatë këtij vitit ka pasur edhe import të kafesë, çajit, kakaos dhe përgatitje prej kakaos,. Mish dhe të brendshmet e ngrënshme të mishit, peshk dhe kafshët guacore, produkte bulmetore, vezët e zogjve, mjaltë natyral, përgatitje të ndryshme të ngrënshme etj.”, tha ai.
Zëdhënësi i Doganave, Adriatik Stavileci, tha se në bazë të të dhënëve që ka dogana deri më tash 80 kompani nga Kosova kanë importuar produkte ushqimore nga Kina për në Kosovë.
Zyrtarë nga kompanitë që importojnë produkte ushqimore nga Kina thonë se produktet që ata i bien në Kosovë janë tejet të sigurta, pasi që i nënshtrohen shumë kontrolleve kufitare, por sipas tyre ato kontrollohen edhe në Kosovë nga inspektorët e Agjencisë së Vetërinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK).
Por, në anën tjetër, Selatin Kaçaniku, nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit, thotë se nëse një produkt ushqimor do të ishte importuar nga Kina sipas kushteve të parapara, nuk do të ishte problem.
“Duke e ditur ne se çfarë inspektorati kemi, atëherë duhet të dyshojmë dhe të kemi frikë te ato produkte”, tha ai.
Kaçaniku thotë se importi i një produkti nga Kina për në Kosovë të merr kohë së paku 1 muaj dhe, sipas tij, është bukur e vështirë që produktet ushqimore të importohen sipas kushteve që parashihen.
Ai thotë se në Kosovë këto produkte thuaja nuk kontrollohen fare nga Inspektorët e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës.
“Vetëm gjatë vitit të kaluar, një kompanie kosovare i janë ndarë dhe asgjësuar 400 tonë mish në Durrës. Por, kjo sasi e mishit në Kosovë nuk konfiskohet dhe nuk asgjësohet tërë vitin.