Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana është shprehur i lumtur për fitoren e arritur kundër Sllovenisë (1:0) dhe ka kërkuar nga të gjithë që të krenohem me këtë kombëtare.
“Ishte një shumë e rëndësishme për ne sepse ekipi e ka një dëshirë jashtëzakonisht të madhe për ta gëzuar këtë tifozeri të flaktë dhe për t’i dhënë krenari këtij vendi. Nuk ishte e lehtë të çonim kokën pas asaj goditje të rëndë me Islandën, ku Shqipëria e ka merituar fitoren. Luajtëm shumë mirë në atë sfidë, por jo gjithherë fiton më i miri. Ato tri pikë të humbura tash dhëmbin edhe më shumë. Por ne kemi arritur ta çojmë kokën dhe për këtë na ndihmuan njerëzit që na përkrahën vazhdimisht. Në pjesën e parë ishim superior ndaj sllovenëve, kurse në pjesën e dytë jemi mbrojtur me sukses. Edhe në 45 minutat e dytë i kemi pasur edhe dy raste, por Çani dhe Salihi nuk arritën të finalizojnë. Gjithsesi, me rëndësi është që fituam”, ka theksuar Cana. Tutje kapiteni i kuqezinjve ka kërkuar nga opinioni shqiptar që ta kursejë nga kritikat e pavend. “Duam të shohim një kombëtare që e ngre kokën dhe që jep gjithçka për fanellën e Shqipërisë. Duhet t’i shohim gjërat nga aspekti teknik. Duhet të tregohet pak gjakftohtësi nga të gjithë dhe t’i lëmë njerëzit që janë pjesë e kombëtares të punojnë në qetësi. Ju kemi përshtatur fushës, kemi bërë një lojë të mirë dhe kemi fituar. Por duhet të na lini të qetë të luajmë dhe trajneri po punon mirë. Ne krenohemi me publikun, ne e kemi një kombëtare dhe njerëzit duhet të krenohen me ne. Në katër ndeshje Shqipëria ka merituar t’i fitojë 9 pikë, por ndaj Islandës ndodhi ajo që ndodhi. Tash duhet të shohim përpara”, ka nënvizuar Cana.