Futbollistët e përfaqësueses gjermane nuk arrijë t’i japin shpjegim se si ndeshja që ato po fitonin lehtësisht ndaj Suedisë me rezultatin 4-0 u kthye në një makth dhe përfundoi në barazim 4-4.
Bastian Shvajnshtajger ka qenë i pari që ka folur për këtë temë, ndërsa mendon se shumë prej shokëve të tij të skuadrës ndaluan vrapin pas shënimit të golit të katër duke menduar se takimi ishte mbyllur.
“Unë personalisht nuk e kuptoj. Në ditët e sotme nuk është e mjaftueshme kur 2-3 lojtarë nuk vrapojnë sa duhet. Te ne, gjithkush ishte një hap pas kundërshtarit dhe kjo është mënyra se si pësohen 4 gola nga Suedia. Tani sinqerisht që nuk më intereson çfarë do të thonë media dhe publiku për ne”, ishte komenti i atij që cilësohet si një nga liderët e kombëtares gjermane.
Edhe Toni Kros nuk di të shpjegojë pse ndodhi ky shpërqendrim i jashtëzakonshëm i ekipit që po fitonte lehtësisht përballë një kundërshtari që nuk u dorëzua deri në sekondën e fundit.
“Kjo është shumë e vështirë të shpjegohet. Gjithçka mund të ndodhë, edhe kur duket se ndeshja ka mbaruar. Suedia luftoi me ne për çdo metër ndërsa ne nuk ishim në gjendje të ktheheshim në garë. Luajtëm mirë, shënuam gola të shkëlqyer, por pastaj menduam se gjithçka do të rridhte normalisht vetë, ky ishte gabimi”.
Kuptohet që shumë më i lumtur ka qenë Zlatan Ibrahimoviç, kapiteni i Suedisë që e cilësoi këtë si një nga ndeshjet më mbresëlënëse të karrierës së tij.
“Nuk e di nëse është e mundur të shpjegohet kjo ndeshje. Pas 4-0 pakkush mund të besonte se ndeshja mund të përfundonte ndryshe, por ja që ndodhi. Në pjesën e dytë hynë 11 lojtarë të tjerë në fushë, pasi në pjesën e parë ne ishim shumë frikacakë dhe treguam shumë respekt ndaj Gjermanisë. Nuk di si ta përshkruaj. Individualisht, mund të mos jetë një nga gjërat më të shkëlqyera të karrierës, por në nivel skuadre klasifikohet mes arritjeve më të mira”, tha Ibrahimoviç që ishte autori i golit të parë që nisi përmbysjen suedeze.